Luftëtarë shqiptarë. Në të kaluarën e dhunshme të Shqipërisë hesapet politike shpesh laheshin me dyfek.

Gjunjëzimi para flamurit.
Tablo e piktorit Abdurrahim Buza.

Skenderbeu. Monumenti në Krujë, qendra mesetarë e shtetit shqiptar.



Vendosja e diktaturës fashiste në Itali në 1922 u reflektua pothuajse menjëherë në politikën e jashtme të Italisë e në veçanti solli ringjalljen e ambicieve të vjetra imperialiste të Romës, që kërkonte "tokën e premtuar" në Afrikë dhe Ballkan. Imperializmi relativisht i ri italian kishte tashmë përshkuar një rrugë të gjatë në histori dhe, ndonëse bilancin e kishte mjaft modest, ka mjaft ngjarje e dukuri që kënaqnin ata që kishin përfituar prej tij.

Në shkurt 1885 italianët nisën të ndërtonin bazat e Italisë si fuqi koloniale, duke zbarkuar në portin e Masavës në brigjet e Eritresë në Abisini (Etiopi). Në 1887 forcat italiane pushtuan për herë të parë Abisininë dhe u përpoqën ta aneksonin atë, por në kundërshtim me të gjitha shpresat e Romës, pësuan humbje të rënda në gropën e Dogalit. Megjithatë, qeveria italiane nuk hoqi dorë nga planet e saj. Në 1888, me rastin e trazirave në Abisini, italianët pushtuan të gjithë Eritrenë. Natyrisht që kafshata e Eritresë nuk e kënaqte oreksin e panginjshëm imperialist të Romës. Në dhjetor 1894 ushtria italiane prej 17 000 ushtarësh të komanduar nga gjenerali Oreste Baratieri hynë në Abisini me detyrë pushtimin e të gjithë vendit dhe kthimin e tij në koloni italiane. Shpejt u bë e qartë që kjo detyrë i tejkalonte mundësitë e forcave italiane të asaj kohe. Pas dy vjetësh luftë partizane, italianët u mundën në betejën e Aduas. Endrrat për pushtimin e Abisinisë plasën si flluskë sapuni. Perandoria romake moderne duhej ta shtynte këtë zaptim deri në vitin 1936, kur trupat e Musolinit më në fund morrën Adis-Abebën. Ndërkohë italianët e kompensuan humbjen në Abisini me marrjen e Cirenaikës dhe Tripolitanisë (Libisë) në Afrikën Veriore pas luftës me Turqinë (1911-1912), por kjo nuk i kënaqi ambiciet e Romës.

Më në fund, në 1914 filloi Lufta e Parë Botërore, dhe, bashkë me të, mbërriti mbase zhgënjimi më i madh i të gjithë atyre politikanëve që prisnin që ajo t'u hapte udhën pushtimeve të reja. Imperializmi italian ishte më i dobëti, por në asnjë mënyrë më pak agresivi. Mjafton të kujtojmë që në shkëmbim të rradhitjes në anën e Antantës kundër aleatëve të mëparshëm - Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë - politikanët italianë në konferencën e Londrës në 1915 kërkuan Triesten, Dalmacinë, Shqipërinë, Tirolin Jugor, konfirmimin e zotërimit të arkipelagut të Dodekanezes, si edhe njohje të të drejtave të tyre të posaçme në Azinë e Vogël dhe Bririn e Afrikës. Katër vjet më vonë Traktati i Versajës nuk i plotësoi këto kërkesa. Megjithë kërkesat e përsëritura, Konferenca e Paqes nuk i dha Italisë territoret, reparacionet e lëndët e para që ajo priste.

Por as zhgënjimi me rezultatet e dobëta të Luftës se Madhe nuk e ndryshoi kursin e mëparshëm të politikës italiane, veçanërisht me shfaqjen në horizontet politike të një fuqie të re - fashizmit. Fashizmi u pa si forma më e volitshme e efikase e veprimeve të mëvonshme. Ata që vërte kishin fuqinë në Itali - pronarët e tokave, bankierët, industrialistët si edhe kleri katolik, nga Jugu i prapambetur deri në Veriun që po zhvillohej me vrull, panë tek fashizmi një armë të fuqishme për të luftuar rrymat shoqërore radikale në Itali, por edhe si instrument të luftës së madhe politike ndërmjet shteteve.

S'është pra çudi që Benito Musolini ruajti drejtimin tradicional të ekspansionizmit italian: Mesdheu, Afrika, Ballkani. Për sa i përket Ballkanit, Duçja kishte menduar pushtimin e drejtpërdrejtë të Shqipërisë, Greqisë e Jugosllavisë, si edhe mbrehjen e tërthortë të Bullgarisë dhe Hungarisë në qerren e politikës së tij të jashtme. Megjithatë, pushtimi ose edhe vetëm një fitore apo ndryshime të pjesshme territoriale në Greqi e Jugosllavi i kapërcenin mundësitë e Italisë në atë kohë. Kjo kryesisht për shkak të rezistencës së këtyre dy vendeve, si edhe pozicionimit të Britanisë së Madhe e Francës, shtete me të cilat ato kishin bërë aleancë. Pra, kafshata më e lehtë dukej të ishte Shqipëria, dhe është kjo arësyeja pse Musolini i kushtoi kaq vëmendje atij vendi. Ai pa tek Shqipëria jo vetëm një pre' të lehtë, por edhe kyçet e Eldorados së Ballkanit.

Shqipëria është një vend i vogël me sipërfaqe rreth 28 700 km katrorë, në atë kohë popullsia ishte rreth 1.5 milionë banorë. Relievi është kryesisht malor (veri, lindje e jug) dhe i mbuluar me pyje (afro 45% e sipërfaqes); vetëm në perëndim malet zbresin në fushë që mbërrin deri në bregdet dhe pritet mespërmes nga luginat e lumejnve të rrëmbyer Drin, Shkumbin e Vjosë. Bukuria e këtij peizazhi malor do të ishte e paplotë pa liqenet jashtëzakonisht piktoreske të Shkodrës, Prespës e Ohrit (Pogradecit). Në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë ekonomia shqiptare mund të klasifikohet si kryesisht agrare. Bimët që kultivoheshin ishin misri, gruri, tërshëra, elbi, orizi, pambuku, duhani, panxharsheqeri, rrushi, agrumet e ullinjtë. Një pjesë e popullsisë merrej me blegtori: rritjen e gjedhëve, bagëtive të imta (dele e dhi), si edhe derrave. Sektori industrial mbizotërohej nga përpunimi i ushqimeve, lëkurës, tekstileve e lëndës së drurit. Me kohë nisi shfrytëzimi i naftës, bakrit e kromit, si edhe u ndërtuan rafineritë e naftës dhe fonderitë e para. Energjia elektrike prodhohej në hidrocentrale të vegjël. Hekurudhat nuk ekzistonin, dhe mjetet kryesore të transportit ishin kafshët e barrës, me kohë edhe automobilët. Qytetet kryesore të Shqipërisë janë Tirana (kryeqyteti), Shkodra, Berati, Elbasani e Korça. Dritarja e Shqipërisë në botën e jashtme janë portet e Vlorës e Durrësit; andej kalonin pothuaj gjithë eksportet shqiptare, që përbëheshin kryesisht nga prodhime bujqësore, dhe me kohë edhe nafta, kromi e asfalti (bitumi).

Pra, Shqipëria ka pak pasuri minerale, të cilat as nuk shfrytëzoheshin në atë kohë. Në atë gjendje të prapambetur të Shqipërisë, nxjerrja e mineraleve ishte në fillimet e saj. Pra, nuk ishte prosperiteti ekonomik dhe padyshim as bukuria e këtij vendi malor, faktori që tërhoqi vëmendjen e politikanëve të Romës. Ishte pozita gjeografike e këtij vendi! Për fashizmin italian, ashtu si edhe për paraardhësit e tij në histori, Shqipëria ishte veçse një shtojcë e Italisë, por që gjendej në bregun tjetër, atë ballkanik, të ngushticës së Otrantos, e cila ndan gadishujt Apenin e Ballkanik dhe lidh detin Adriatik me atë Jon. Në Romë, dhe jo vetëm aty, e dinin mirë se ai që zotëron të dyja brigjet e Otrantos ka nën kontroll daljen e Adriatikut në Mesdhe. Pa patur ngushticën nën kontroll, ëndrra italiane e mare nostrum, e ngritur në nivelin e kriterit të ekzistencës së Italisë, do të mbetej vetëm një iluzion naiv. Në atë kohë ngushtica e Otrantos krahasohej me ngushticat e Detit të Zi (Bosfori e Dardanelet), Shtyllat e Herkulit (Gjibraltar), kanalin e La Manshit, si edhe ngushticat daneze (Belt, Sund, Kategat e Skagerrak). Për më tepër, nga pikëpamja ushtarake për italianët shkelja e tokës shqiptare ishte më shumë se thjesht përmbushje e ëndrrave mbi mare nostrum; ishte praktikisht shkelja e pragut të tokës greke e asaj jugosllave. Nga Korça shqiptare mund të avancohej në drejtimin e qyteteve greke të Janinës, Follorinës, Kosturit e Meçovës, e më tej Selanikut e Shkupit në Jugosllavi; nga Shkodra vazhdohej më tej për Kotor e Dubrovnik. Kjo ishte vetëm një perspektivë, por sa e largët ishte ajo?

Në mënyrë që të theksohet aspekti gjeopolitik i planeve italiane ndaj Shqipërisë, duhet më parë t'i kushtojmë vëmendje së kaluarës së këtij vendi, që reflekton më së miri pozitën e saj gjeopolitike. Historia e komplikuar dhe e trazuar e këtyre trojeve konfirmon rëndësinë e saj si kyç i Ballkanit. Që në vitet 1400-1200 p.e.s në territorin e Shqipërisë së sotme banonin fiset indoeuropiane ilire, të cilat zinin pjesën jugore e jugperëndimore të gadishullit ballkanik. Në shkullin e tretë p.e.s u shfaqën shtete ilire; në shkullin e dytë e.s ato u mundën e u pushtuan nga Roma. Shqipëria u bë koloni romake dhe në vitin 395 u shndërrua në një nga provincat e Bizantit. Me kalimin e shekujve furtunat e historisë e përfshinin Shqipërinë, duke ndryshuar zotërit, pushtuesit e zaptuesit. Në shekujt IV-VII ajo u pushtua nga fiset sllave. Që nga shekulli X fuqi të reja e donin Shqipërinë: Serbia, Bullgaria, Bizanti e Venediku. Një balancë force shumë jetëshkurtër i lejoi malësorët shqiptarë të formonin shtetin e tyre të pavarur në shekullin XII, por ai nuk e pati të gjatë. Në shekullin XIII Shqipëria u pushtua nga Epiri dhe në shekullin XIV nga Serbia. Por drama e vërtetë ndodhi në shekullin XV, kur vala e parë e pushtimit turk mbërriti në Shqipëri. Në fakt, pushtimi turk u ndërpre nga kryengritja fitimtare e malësorëve shqiptarë. Udhëheqësi i tyre - princi Gjergj Kastrioti, Skënderbeu legjendar - shpalli shtetin e pavarur shqiptar, por as ky nuk e pati të gjatë. Me vdekjen e Skënderbeut në 1479 Shqipëria ra përsëri nën pushtimin turk, me të gjitha pasojat e tij - shfarosje, islamizim, shfytyrim kulturor e çqytetërim. Qysh atëherë çështjet e shiptarëve u bënë asgjë më shumë sesa një grimëz e problemeve të Perandorisë së madhe Osmane. Vetëm në fillim të shekullit XX, bashkë me rënien e shtetit turk, gjendja e shqiptarëve filloi të ndryshojë.

Në 1912 gjendja ndërkombëtare gjithnjë e më e disfavorshme për Turqinë e thelloi edhe më tej krizën e saj të brendshme. Një kryengritje kombëtare filloi në Shqipëri. Qeveria e xhonturqve, e krijuar pas abdikimit të Sulltan Abdylhamid II, u detyrua të kapitullojë para kërkesave të kryengritësve shqiptarë dhe të pranojë shumicën e tyre: reformë financiare, ushtarake, shkollore dhe ndërtimin e rrugëve. Parlamenti u shpërnda. Më 28 Nëntor 1912 në Vlorë u shpall pavarësia e Shqipërisë, por ajo ende duhej të njihte autoritetin e Stambollit. Shumë shpejt filloi Lufta e Parë Ballkanike - Bullgaria, Serbia, Greqia, Mali i Zi dhe Shqipëria së bashku i qëndruan Turqisë. Turqit pësuan humbje pas humbjeje. Më 17 dhjetor 1912 Fuqitë e Mëdha vendosën të shpallin krijimin e një Shqipërie autonome. I ashtuquajturi Traktat i Londrës e kufizoi sovranitetin e Shqipërisë, duke ia nënshtruar atë sulltanit, si edhe kontrollit të 6 Fuqive të Mëdha - Britanisë së Madhe, Francës, Austro-Hungarisë, Gjermanisë, Rusisë e Italisë. Një nga nenet e Traktatit të Londrës përmendte "interesat speciale" të Italisë e Austro-Hungarisë në Shqipëri.

Ndërkohë, turqit u përpoqen përsëri t'i ndryshojnë fatet e luftës dhe, pa pritur përfundimin e Traktatit të Londrës, rifilluan aktivitetin luftarak kundër koalicionit fitimtar. Edhe kjo solli rezultate katastrofike. Në marrëveshjen e paqes të nënshkruar më 30 maj 1913 Turqisë iu desh të rikonfirmojë gjithçka që kishte pranuar në dhjetor. Në rastin e Shqipërisë as që mund të flitej më për varësi nga sulltani. Shqipëria u bë vend i pavarur, ndonëse pa kufij të përcaktuar; problemi i kufijve mbetej të zgjidhej në një konferencë tjetër të Fuqive të Mëdha. Fillimi i Luftës së Dytë Ballkanike që ishte i suksesshëm për Turqinë dhe i dha asaj një shans të rikuperonte disa territore nuk e ndryshoi gjendjen e Shqipërisë. Më 29 korrik 1913 përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha Evropiane u mblodhën në Londër dhe shpallën Statutin Organik të Principatës së Pavarur e Neutrale të Shqipërisë.

Në gusht 1914 filloi Lufta e Parë Botërore. Shqipëria e shpalli veten të paanshme. Askush s'kishte ndër mend ta respektonte një gjë të tillë. Në nëntor 1914 ushtria greke marshoi në Shqipërinë e Jugut. Italia, e cila kishte deklaruar neutralitetin dhe po bënte llogaritë në cilën anë të konfliktit ta poziciononte veten për të korrur përfitime sa më të mëdha, pushtoi ishullin shqiptar të Sazanit më 30 tetor 1914 dhe portin e Vlorës më 26 dhjetor. Meqë Princ Vidi, i cili qeveriste Shqipërinë me evndim të Fuqive të Mëdha, nuk shihej me sy të mirë në Londër, Paris e Romë, u organizua një grusht shteti në Tiranë. Princi u përzu dhe Shqipëria u vu nën qeverisjen e kryeministrit provizor Esad Pasha. Diktatura e tij nuk zgjati as ajo: deri në 1916. Edhe një herë tjetër Fuqitë e Mëdha "u kujdesën" për Shqipërinë. Më 26 prill 1915 u përfundua në fshehtësi Traktati i Dytë i Londrës ndërmjet Britanisë së Madhe, Francës e Rusisë në një anë dhe Italisë në tjetrën. Ky traktat e ndau Shqipërinë. Italisë, si shpërblim për hyrjen e saj në luftë në anën e Antantës, iu premtua Shqipëria perëndimore, si dhe protektorati i shtetit kukull që do të krijohej në Shqipërinë qendrore. Italia ra dakord që pjesët veriore e jugore t'i jepeshin Malit të Zi, Serbisë e Greqisë.

Pra, kartat ishin ndarë dhe plani i lojës ishte vendosur, por ngjarjet rrodhën në një drejtim shumë të ndryshëm nga ç'e prisnin lojtarët. Në 1915, në rrjedhën e operacioneve ushtarake, trupat malazeze hynë në Shqipërinë e Veriut, ndërsa ato serbe hynë në Shqipërinë qendrore dhe pushtuan Tiranën. Shumë shpejt pas kësaj, ofensiva e trupave bullgaro-gjermano-austro-hungareze solli pushtimin e Shqipërisë veriore e qendrore nga forcat austro-hungareze, të cilat u tërhoqën vetëm në verë të 1918, pas shkatërrimit ushtarak të Bullgarisë. Trupat austro-hungareze u zëvendësuan nga ato italiane, të cilat pushtuan pothuaj të gjithë vendin.

Në rrethana të tilla më 25 dhjetor 1915 u mblodh në Durrës i ashtuqujturi Kongres Shqiptar. Ai solli në fuqi një qeveri shqiptare të udhëheque nga Turhan Pasha dhe të përbërë nga filo-italianë. Kjo qeveri as që u përpoq ta kundërshtonte pushtimin italian. Këto politika u mbështetën nga të dërguarit e Italisë, të cilët nuk kursyen as paratë e as premtimet për të ardhmen ndaj qarqeve feudale me influencë, vetëm e vetëm që të arrinin synimet e tyre. Përfaqësuesit italianë zhvilluan një fushatë të fuqishme politike jo vetëm në Shqipëri, por edhe në arenën ndërkombëtare. Në këtë mënyrë ata mbërritën të organizonin bisedime të fshehta me përfaqësuesit e fuqive fituese. Më 29 korrik 1919 në Paris ministri i jashtëm italian Titoni, dhe kryeministri grek, Venizellos nënshkruan një marrëveshje të fshehtë e cila parashikonte pëlqimin grek për një pushtim italian të Shqipërisë, me kusht që Greqia të merrte një pjesë të Dodekanezeve italiane. Përfaqësuesit e qeverisë italiane kishin mbërritur suksese të këtij lloji edhe në bisedime sekrete me përfaqësuesit e qarqeve të larta të Anglisë e Francës. Ata morrën kështu pëlqimin që fatet e pothuaj gjithë Shqipërisë t'i besoheshin Romës.

Megjithëse zhvilloheshin në fshehtësi të plotë, pazarllëqet e demokracive me fatet e Shqipërisë shpejt u bënë më shumë sesa thjesht një sekret i vetëm disa diplomatëve. Revolucioni i Tetorit hapi arkivat diplomatike sekrete, dhe bolshevikët rusë publikuan të gjitha traktatet e Antantës. Lajme e lajme vinin në Tiranë nga Parisi e Roma, Athina e Beogradi. Ato shtuan pakënaqësinë e shoqërisë shqiptare dhe i dhanë shkas trazirave. Varësia në rritje nga Italia shkaktoi gjithnjë e më shumë zemërim e rezistencë në një pjesë të madhe të popullit shqiptar. Kjo rezistencë kushtëzoi atmosferën e Kongresit Kombëtar, i cili u mblodh më 21-23 janar 1920, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga të gjitha trojet shqiptare. Kongresi që u mblodh në Lushnje, shkarkoi regjimin e Turhan Pashait dhe solli në fuqi një qeveri të re të udhëhequr nga Sulejman Delvina. Kjo qeveri bëri një deklaratë të fuqishme preteste ndaj të gjitha traktateve e marrëveshjeve që dhunonin të drejtat sovrane të popullit shqiptar dhe e përforcoi këtë protestë duke deklaruar pavarësinë e Shqipërisë. Kjo deklaratë parashikonte që Shqipëria do të ishte monarki kushtetuese dhe deri në zgjedhjen e mbretit funksionet e tij do t'i kryente Këshilli i Lartë i Regjencës. Pas përfundimit të Kongresit, qeveria e re erdhi në Tiranë për të marrë fuqi ligjore në vend. Vlen të përmendet se Sulejman Delvina, i cili në kohën kur u zgjodh ishte në Paris, ndërmori menjëherë hapa për të siguruar mbështetjen e demokracive evropiane për mbrojtjen e pavarësisë së Shqipërisë nga shqiptarët. Këto përpjekje megjithatë rezultuan të pasuksesshme. Në të kundërt, vendimet e marra në Lushnje nxitën Italinë e Greqinë të pushtojnë e ndajnë Shqipërinë me forcë.

Në këto rrethana edhe qeveria e re shqiptare i intensifikoi përpjekjet e saj. Një nga anëtarët e saj më aktivë u bë ministri i brendshëm, koloneli i ri, as 25 vjeç në moshë, Ahmet bej Zogu. Tensioni po rritej tejembanë vendit. Lëvizja çlirimtare kombëtare po konsolidohej e mobilizonte të gjitha forcat e veta. Më 20 maj 1920 në një çiflig të vogel pranë Borshit, afër Himarës, patriotët krijuan Komitetin për Mbrojtjen Kombëtare, i cili filloi organizimin e forcave të veta të armatosura. Në fillim të qershorit 1920 forcat popullore shqiptare rrethuan Vlorën e pushtuar nga italianët. Si rezultat i luftimeve që zgjatën mëse një muaj, ato çliruan Vlorën dhe portin. Në një situatë të tillë, më 2 gusht 1920 u nënshkrua protokolli shqiptaro-italian, i cili sanksiononte largimin e të gjitha forcave italiane nga i gjithë territori shqiptar, si edhe njohjen e pavarësisë së Shqipërisë nga Italia. I vetmi koncesion i bërë Romës ishte pëlqimi i qeverisë shqiptare për të zgjatur qeranë e ishullit të Sazanit për 10 vjet. Një sukses tjetër ishte pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve (17 dhjetor 1920), gjë që sanksionoi njohjen e pavarësisë së saj në këtë forum ndërkombëtar.

Por pavarësia dhe sukseset diplomatike të Shqipërisë nuk donin të thonin domosdoshmërisht normalizimin e gjendjes së brendshme të vendit. Kufijtë e saj nuk ishin ende të përcaktuar përfundimisht, dhe një luftë civile për pushtet politik po shfaqej gjithnjë e më shumë në horizont. Më 1921 ushtria shqiptare, si rezultat i shumë përpjekjeve dhe luftimeve, e detyroi ushtrinë jugosllave të largohej nga trojet që kishte pushtuar. Gjatë atyre luftimeve ishte formuar një qeveri e re e kryesuar nga i sipërpërmenduri Zog. Duke qenë fuqimisht i lidhur me qarqet feudale të Shqipërisë së Veriut, ai filloi zbatimin e një politike gjithnjë e më reaksionare, gjë që i dha krahë protestës së elementeve demokratike. Agjentët e Zogut, duke patur frikë nga rritja e shpejtë e influencave demokratike, vranë më 20 prill 1924 një nga udhëheqësit e opozitës - Avni Rustemi. Varrimi i Rustemit u bë shenjë për një kryengritje popullore. Më 10 qershor 1924 kryengritësit morrën Tiranën. Vendi i bë kështu me një qeveri të re, demokratike, të udhëhequr nga politikani e intelektuali i madh shqiptar, Fan Noli. Programi i Nolit parashikonte ndryshime radikale e reforma demokratike, ndër të cilat një reformë agrare. Ky program, që s'ishte gjë tjetër veçse një shembull klasik i një revolucioni demokratiko-borgjez, shkaktoi trazimin i elementëve konservatorë e reaksionarë të shoqërisë shqiptare dhe i bashkoi ata kundër qeverisë së reformave. Forcat e djathta u përqendruan në veri të vendit, dhe në krye të tyre qëndronte përsëri kolonel Zogu. Ai mori mbështetjen e trupave jugosllave, si edhe të formacioneve të bajraktarëve shqiptarë. Në vjeshtë të 1924 ata marshuan mbi kryeqytetin Tiranë dhe pas luftimeve të ashpra e morrën atë më 11 dhjetor 1924. Revolucioni demokratik shqiptar ishte shtypur. Në fuqi erdhi një qeveri reaksionare feudale dhe Ahmet Zogu u bë kryeministri i saj (janar 1925 - shtator 1928).

Fqinjët e Shqipërisë, veçanërisht italianët, ndiqnin me vëmendje zhvillimin e ngjarjeve brenda vendit. Italianët ishin akoma të preokupuar se si ta luanin kartën shqiptare në mënyrën më të frytshme. Përpjekjet e dështuara për ta nënshtruar Shqipërinë në fillim të periudhës ndërmjet luftërave nuk i kishin dekurajuar aspak planet ekspansioniste të Italisë ndaj Shqipërisë. Fitorja e fashizmit në Itali dhe tendencat e Musolinit për ta kthyer Mesdheun në një "det të brendshëm të Italisë" vetëm sa i përforcuan tendencat e Romës për të pushtuar trojet në anën tjetër të Adriatikut. Shqipëria e dobët ekonomikisht e ushtarakisht, e qeverisur nga Ahmet Zogu që nga janari 1925 si kryeministër dhe që nga shtatori 1928 si mbret i vetëshpallur, dukej si një pre e lehtë për ekspansion. Fillimisht Roma konceptoi tre projekte: 1) ndarje me pjesëmarrjen e Greqisë dhe Jugosllavisë, 2) nënshtrim ekonomik që do të çonte në nënshtrim politik pa kushte, dhe 3) aneksim. Opsioni i tretë fitoi. Megjithatë, para se të mbërrihej tek fitorja e opsionit aneksionist, qeveria italiane përdori gjithë arsenalin e të ashtuqujturit depërtim paqësor nëpërmjet lidhjes së marrëveshjeve tragtare, ushtarake e politike të dyanshme.

Ndërsa punonte për përfshirjen graduale të Shqipërisë në rrjetën e padukshme të varësisë politike, ekonomike e ushtarake, që do të çonte në gllabërimin përfundimtar të presë, Roma i ofroi Tiranës një sërë shërbimesh që do t'i jepnin mbështetje efektive regjimit të Zogut. Që më 27 nëntor 1926 përfaqësuesit e qeverive italiane e shqiptare nënshkruan në Tiranë të parin e serisë së të ashtuquajturve Pakte të Tiranës, lidhur me marrëdhëniet dypalëshe dhe sigurimin. Për sa i përket mënyrës në të cilën ishin konceptuar këto marrëdhënie dypalëshe dhe sovraniteti shqiptar, mjafton të shohim një nga nenet e këtij dokumenti, i cili ia ndalonte Tiranës lidhjen me vende të tjera të marrëdhënieve në fusha që mund të konkurronin në çfarëdolloj mënyre me interesat italiane. Një nen tjetër i jepte Italisë kontroll të plotë mbi ushtrinë shqiptare. Pakti gjithashtu parashikonte dhënien e një posti komandues në shtabin e përgjithshëm të ushtrisë shqiptare një oficeri italian, si edhe krijimin e posteve për këshilltarë italianë në të gjitha institucionet shtetërore e ushtarake.

Ndërkohë Ahmet bej Zogu, që në këtë kohë gëzontëe mbështetjen e plotë të italianëve dhe gjithashtu u besonte plotësisht atyre, konsolidoi regjimin e tij dhe gradualisht i eliminoi të gjitha mbeturinat e opozitës demokratike. Më 1 shtator 1928 ai bëri veprimin përfundimtar, që e solli atë në majën e karrierës së tij personale. Atë ditë ai i lau hesapet me sistemin republikan dhe e shpalli veten Mbret të Shqiptarëve. Ndërsa përgatitej për këtë hap jashtëzakonisht të rëndësishëm, ai kishte marrë premtimin e italianëve që në rast të kundërshtimit nga populli trupa "miqësore" do t'i vinin në ndihmë Madhërisë së Tij Mbretërore. Në të njëjtën kohë Zogu që ishte plotësisht i ndërgjegjshëm për sa i përkiste dëmit që i kishte shkaktuar interesave kombëtare, si edhe urrejtjes për të në popull, donte që të mblidhte rreth vetes të paktën njëfarë mbështetjeje. Kështu më 13 prill 1930 ai lëshoi një dekret mbi reformën agrare - reformë e cila nuk u realizua kurrë, falë rezistencës së vendosur të qarqeve të bajraktarëve të Shqipërisë së Veriu, influenca e të cilëve ishte shumë e madhe. Pra, gjithçka u la ashtu si ishte dhe mbreti Zog I vazhdoi kështu rrugën e ndërmarrë të tradhtisë kombëtare e diktaturës reaksionare.

Regjimi i Zogut në 1925-1939 ishte një diktaturë tipike absolute, që u përqendrua në të gjitha atributet e saj: ndalimi i partive politike dhe organizatave shoqërore, kontroll i rreptë i shtypit, shpenzime gjigante buxhetore për ushtrinë, policinë dhe sistemin juridik. Italianët organizuan Bankën Kombëtare të Shqipërisë dhe kontrollonin financat. Ata kishin monopolin e këshilltarëve ushtarakë. Ata kishin krijuar një sërë kompanish që gradualisht shtinë në dorë të gjitha degët kyçe të ekonomisë kombëtare, veçamërisht nxjerrjen e naftës, qymyrit, hekurit, bakrit dhe kromit. Nënshtrimi ekonomik i vendit u reflektua në paktet e mëvonshme të Tiranës. Në 1926-1927 Musolini personalisht interesohej për futjen e Shqipërisë në sferën italiane të influencës. Këtë e dëshmojnë qindra dokumente lidhur me Shqipërinë të nënshkruara nga diktatori italian. Kjo gjithashtu reflektohet në ditaret e ambasadorit të atëhershëm të Italisë në Tiranë, Ugo Soli. Këto nënvizojnë faktin që shumë zyrtarë të Pallatit Chigi bënin çudi që interesi i Duçes për çështjet shqiptare ishte më i madh madje edhe se ai për çështjet e Abisinisë. Ky interes ishte forca që nxiti aleancën italo-shqiptare të lidhur më 22 nëntor 1927. Kjo aleancë ishte përgjigje ndaj aleancës franko-jugosllave të lidhur më 11 nëntor 1927 dhe përpjekjeve për ta futur Shqipërinë në të.

Në vjeshtë të 1928 Zogu e shpalli veten Mbret të Shqiptarëve - jo Mbret të Shqipërisë. Që nga ai moment dëshirat e shqiptarëve për t'u ribashkuar mund të përdoreshin nga Italia për t'i bërë presion Jugosllavisë dhe Greqisë. Marrëdhëniet e ngushta me Shqipërinë në 1927-1930, të cilat paraqiteshin si partneritet të barabartësh, morrën fund në 1931, kur mbreti Zog refuzoi të rinovojë Paktet e Tiranës, që e kishin bërë krejtësisht të varur nga Italia. Por ai nuk kishte krijuar as vetë, e as kishte lejuar ndonjëherë krijimin e një partie fashiste shqiptare të stilit italian, duke patur frikë, me shumë të drejtë, se një parti e tille do të bëhej instrument i Romës kundër atij vetë.